A kanë rëndësi për myslimanët sot Shkrimet e mëparshme?
Muhamedi është i Dërguari i Allahut” (مُحَمَّدٌ رَسُولُ اللهِ). Kjo është një nga bindjet qendrore të Islamit.
Jo vetëm që “i Dashuri” konsiderohet një i dërguar ndër shumë të tjerë, por ai shihet si i veçantë. Muhamedi konsiderohet më i favorizuari ndër njerëzit.
Ai është, siç e shprehu dijetari islam Al-Tahavi, “Imami i të devotshmëve, më i nderuari nga të gjithë të dërguarit dhe i Dashuri i Zotit të të gjitha botëve.”
Sipas disa haditheve, Allahu dërgoi 124,000 profetë. Islami mëson se Muhamedi është më i madhi ndër këta mijëra profetë.
Ai është profeti i fundit, duke pasuar dhe zëvendësuar të gjithë të dërguarit e mëparshëm të Perëndisë, përfshirë Ibrahimin, Musain dhe Isain. Prandaj, Kurani e quan atë “Vula e profetëve”.
Ndërsa profetët e mëparshëm u dërguan vetëm te fise ose kombe të caktuara (për shembull, Musai te hebrenjtë), Muhamedi erdhi për të gjithë botën.
Si “mëshirë për botët”, mesazhi i tij synonte të ishte ligji përfundimtar dhe universal për të gjithë njerëzimin deri në fund të kohës, duke i dhënë kështu fund nevojës për një zbulesë tjetër.
Meqenëse shpalljet e Allahut, të shprehura në Kuran, konsiderohen mesazhi përfundimtar i Perëndisë për gjithë njerëzimin, Shkrimet e mëparshme që Allahu kishte shpallur — Teurati (i dhënë Musait), Zeburi (i dhënë Davudit) dhe Inxhili (i dhënë Isait) — konsiderohen nga shumë myslimanë si më pak relevante sot.
A duhet një mysliman që ka Kuranin të merret me këto libra? Kush do të merrej me një telefon të vjetër kur mund të ketë modelin më të ri dhe më të avancuar në treg?
Pse të shqetësohemi për Shkrimet e vjetra kur ekziston një Shkrim më i ri — Kurani?
Megjithatë, Shkrimet e mëparshme janë më relevante nga sa mund të duket në shikim të parë.
Një shembull që tregon pse Shkrimet e mëparshme janë ende të rëndësishme gjendet në Suren Ash-Shu’ara.
Konteksti i kësaj sureje është se jobesimtarët e Mekës e akuzuan Muhamedin se ishte profet i rremë. Prandaj, Allahu e mbrojti atë duke shpallur ajetin 196:
وَإِنَّهُۥ لَفِى زُبُرِ ٱلْأَوَّلِينَ
“Dhe, me të vërtetë, ai [Kurani] gjendet në Shkrimet e popujve të mëparshëm.”
— Surja Ash-Shu’ara 26:196
Këtu Allahu i drejton jobesimtarët te Shkrimet e tjera që ishin të disponueshme në kohën e Muhamedit — Taurati. Zeburi dhe Inxhili
Nëse jobesimtarët do t’i lexonin këto libra, ata do të kuptonin se Kurani ishte nga Allahu dhe se Muhamedi ishte profet i vërtetë.
Pikërisht për këtë arsye, jobesimtarët u mbajtën përgjegjës dhe u dënuan në Suren El-Bekare për mosbesimin e tyre — ata nuk e ndoqën Muhamedin pavarësisht dëshmive që, sipas ajetit, gjendeshin në Shkrimet e tyre:
وَلَمَّا جَآءَهُمْ كِتَـٰبٌۭ مِّنْ عِندِ ٱللَّهِ مُصَدِّقٌۭ لِّمَا مَعَهُمْ وَكَانُوا۟ مِن قَبْلُ يَسْتَفْتِحُونَ عَلَى ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ فَلَمَّا جَآءَهُم مَّا عَرَفُوا۟ كَفَرُوا۟ بِهِۦ ۚ فَلَعْنَةُ ٱللَّهِ عَلَى ٱلْكَـٰفِرِينَ
Kur u erdhi atyre një Libër nga Allahu, që vërtetonte Shkrimin që ata kishin, megjithëse më parë luteshin për fitore kundër jobesimtarëve, kur u erdhi ajo që e njihnin, ata e mohuan. Prandaj, mallkimi i Allahut qoftë mbi jobesimtarët.
— Surja al-Bekare 2:89
Por si do ta njihni Muhamedin si profetë të vërtetë?
Përgjigjja mund të përmblidhet në dy fjalë:
“Tregimet dhe “Profecitë”
- Tregimet e profetëve
Surja Junus 10:37 thotë:
وَمَا كَانَ هَـٰذَا ٱلْقُرْءَانُ أَن يُفْتَرَىٰ مِن دُونِ ٱللَّهِ وَلَـٰكِن تَصْدِيقَ ٱلَّذِى بَيْنَ يَدَيْهِ وَتَفْصِيلَ ٱلْكِتَـٰبِ لَا رَيْبَ فِيهِ مِن رَّبِّ ٱلْعَـٰلَمِينَ
“Ky Kuran nuk mund të ishte shpikur nga dikush tjetër përveç Allahut, por ai është vërtetim i asaj që ishte para tij dhe shpjegim i hollësishëm i Shkrimit, për të cilin nuk ka dyshim, nga Zoti i botëve.”
— Surja Junus 10:37
Sipas këtij ajeti, Kurani mund të njihet si shpallje e Perëndisë sepse vërteton Shkrimet e mëparshme dhe jep shpjegime të hollësishme të tyre.
Por shpjegime të hollësishme të çfarë?
Për ta kuptuar këtë, duhet të shohim kontekstin e këtij ajeti.
Surja Junus është plotë me tregime për profetët, si historia e Nuhut dhe Përmbytjes së Madhe (ajetet 71–73), si dhe historia e Musait dhe Harunit përpara Faraonit (ajetet 75–92).
Këto trigime janë regijstruar më parë në Teurat, e cila sipas traditës islame, iu dha Musait.
Prandaj, sipas argumetit të këtij materiali, shprehja “shpjegim i hollësishëm i Shkrimit” nënkupton se Kurani vërteton hollësitë e tregimeve të profetëve që gjenden në Teurat.
Këtë ide e gjejmë përsëri në Suren Jusuf 12:111:
لَقَدْ كَانَ فِى قَصَصِهِمْ عِبْرَةٌۭ لِّأُو۟لِى ٱلْأَلْبَـٰبِ ۗ مَا كَانَ حَدِيثًۭا يُفْتَرَىٰ وَلَـٰكِن تَصْدِيقَ ٱلَّذِى بَيْنَ يَدَيْهِ وَتَفْصِيلَ كُلِّ شَىْءٍۢ وَهُدًۭى وَرَحْمَةًۭ لِّقَوْمٍۢ يُؤْمِنُونَ
Në tregimet e tyre ka, me të vërtetë, mësim për njerëzit me mend. Ky nuk është një rrëfim i sajuar, por është vërtetim i asaj që ishte para tij, shpjegim i hollësishëm i çdo gjëje, udhëzim dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.
— Surja Jusuf 12:111
Surja Jusuf përmban tregimin më të gjatë dhe më të hollësishëm të vazhdueshëm për një profet në të gjithë Kuranin: historinë e Jusufit.
Në ajetin 111, Kurani pretendon se vërteton këtë histori dhe historitë e tjera të profetëve të përfshira në Shkrimet e mëparshme.
Kurani quhet “shpjegim i hollësishëm i çdo gjëje”, që në këtë argument nënkupton se ai raporton me besnikëri hollësitë e historisë së Jusufit dhe të profetëve të tjerë.
Kjo është befasuese, sepse Muhamedi konsiderohet i pashkolluar/analfabet. Si mundet një njeri që nuk dinte të lexonte të prodhonte një libër që përputhej në hollësi me Shkrimet e tjera, nëse nuk mund t’i lexonte dhe t’i kontrollonte ato?
Sipas këtij argumenti, jobesimtarët do të duhej të arrinin në përfundimin se ai mund t’i kishte njohur këto hollësi vetëm përmes shpalljes hyjnore.
- Profecitë për Muhamedin
Kurani nuk pretendon vetëm se vërteton hollësitë e tregimeve në Shkrimet e mëparshme, por gjithashtu se Njerëzit e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët) mund ta gjenin profecinë për Muhamedin në Shkrimet e tyre në kohën e Muhamedit:
ٱلَّذِينَ يَتَّبِعُونَ ٱلرَّسُولَ ٱلنَّبِىَّ ٱلْأُمِّىَّ ٱلَّذِى يَجِدُونَهُۥ مَكْتُوبًا عِندَهُمْ فِى ٱلتَّوْرَىٰةِ وَٱلْإِنجِيلِ […]
“Ata që ndjekin të Dërguarin, Profetin e pashkolluar, përshkrimin e të cilit e gjejnë të shkruar tek ata në Teurat dhe në Ungjill…”
— Surja Al-A’raf 7:157
Nëse Muhamedi ishte shpallur më parë në Shkrimet e mëparshme, shekuj para lindjes së tij, atëherë jobesimtarët do të kishin arsye bindëse për të besuar se ai ishte dërguar me të vërtetë nga Perëndia.
Nga ajo që kemi diskutuar deri tani, mund të nxjerrim përfundimin se pretendimet për autenticitetin dhe frymëzimin e Kuranit, dhe për rrjedhojë edhe pretendimi për profetësinë e Muhamedit, mbështeten mbi themelin e Shkrimeve të mëparshme.

Megjithatë, këtu lindin disa probleme nëse dikush dëshiron t’i testojë pretendimet e Muhamedit dhe Kuranit duke lexuar sot Teuratin, Zeburin dhe Inxhilin.
Shumë dijetarë islamë [6] thonë se Inxhili ka humbur, ndërsa për Teuratin dhe Zeburin shumë myslimanë besojnë se janë korruptuar.
Sipas këtij besimi, në kohën kur Allahu i shpalli këto libra, ata ishin plotësisht të shenjtë dhe të pagabueshëm, por me kalimin e kohës njerëzit — ose në mënyrë specifike hebrenjtë — i ndryshuan dhe përzien në to idetë e tyre të rreme njerëzore.
Prandaj, fjalët e Teuratit dhe Zeburit që ekzistojnë sot nuk konsiderohen të besueshme nga këta myslimanë.
A është ky një përfundim i arsyeshëm?
Në artikullin vijues do të përqendrohemi te ajo që thotë Kurani për besueshmërinë ose pabesueshmërinë e Teuratit. Për ta zbuluar këtë, ju ftojmë, i dashur lexues, të vazhdoni me artikullin tjetër.